Address
Rruga Reshit Petrela, Pallati 10 (siper BKT), Kati 3
Cel / Tel
069 561 09 56
Opening Hours
Monday - Friday 9:00-13:00 & 17:00-20:00 , Saturday: 09:00 – 13:00

Kariesi i Dhëmbëve

Kariesi i Dhëmbëve

March 18, 2017
Kariesi i Dhëmbëve

Kariesi i dhëmbit është një sëmundje degjenerative me bazë infektive e indeve të forta e të buta të dhëmbit. Kariesi nis mbi sipërfaqet e forta të dhëmbit, duke përfshirë fillimisht smaltin, e duke vazhduar më në thellësi në dentinë nga ku, nëse nuk kurohet, arrin deri në pulpë.

Shkaku i formimit të kariesit është i lidhur me mikroorganizmat që gjenden normalisht në ambjentin e gojës. Këto mikroorganizma, nëse nuk mbahen nën kontroll falë higjenës së perditshme dhe kontrolleve tek dentisti, arrijnë të ngjiten pas sipërfaqes së dhëmbit, ku krijojnë të ashtuquajturat pllaka bakteriale. Kjo pllakë bakteriale shërben si një mikrohabitat, ku mikroorganizmat, duke u ushqyer kryesisht me sheqerna, fillojnë të krijojnë një ambjent acid që çon dalëngadalë në shpërbërjen e matricës minerale dhe organike të dhëmbit. Formohen kështu kavitetet tipike që shohim në një dhëmb të prishur.

Në fazat e tij të para kariesi nuk prezanton dhimbje, por me progresionin e sëmundjes në dentinë pacienti fillon të ketë ndjeshmëri, veçanërisht ndaj ushqimeve apo pijeve të ftohta, të nxehta e të ëmbla.

Për të mjekuar dhëmbin në këtë faze, dentisti do të bëjë një anestezi lokale, do të heqë indet e sëmura e do ti zëvëndësojë ato me një material kompozit, duke i rikthyer dhëmbit funksionin dhe estetikën.

Nëse kariesi që ka arritur dentinën nuk kurohet, pas shpërbërjes së indeve të forta, fillon të përfshijë dhomën pulpare të dhëmbit, ku gjendet pulpa, e cila është e përbërë nga enë gjaku, zgjatje nervore dhe enë linfatike. Në këtë moment pacienti fillon të ndjejë një dhimbje më të fortë, pulsante, e cila forcohet sidomos në pozicion të shtrirë dhe natën, dhe tashmë spontane.

Në këtë fazë dentisti është i detyruar të realizojë një kurë pak më invazive, në të cilën fillimisht do të eliminojë me kujdes të gjitha indet pulpare, do të pastrojë, shplajë dhe mbushë kanalet e dhëmbit, e do të rindërtojë më tej sipërfaqet e dëmtuara. Dhëmbi do të rifitojë funksionin dhe estetikën, por do të jetë më i dobët për shkak të devitalizimit, pasi duke humbur pulpën, nuk do të marrë dot më ushqyesit që shërbëjnë për ti dhënë forcën dhe elasticitetin për të përballuar forcat e kafshimit.

Nëse pacienti anashkalon edhe këtë fazë, pulpa do të fillojë të nekrotizohet. Në këtë moment shpesh dhimbja zhduket, por në brendësi të dhëmbit ka filluar një proces infeksioni. Ky infeksion nis të përhapet në indet rrethuese të dhëmbit duke çuar me kalimin e kohës në absorbimin e kockës rreth apeksit së rrënjës. Shpesh procesi i infeksionit shoqërohet me formimin e një fistule, që paraqitet si një zonë e fryrë me një hapje qëndrore nga ku organizmi tenton të drenojë pusin.

Në këtë situate dentisti do të kurojë fillimisht infeksionin, e më pas do të ndërhyjë në mbushjen e kanaleve e të riformimit të kurorës, nëpërmjet materialeve kompozite ose vendosjes së një këllëfi.

Për të parandaluar formimin e kariesit dhe evolucionin e tij, ju këshillojmë ti kushtoni rëndësinë e duhur higjenës orale në shtëpi e të kaloni në klinikë çdo 6 – 12 muaj për vizita rutine, të cilat pranë nesh realizohen falas. Ju sugjerojmë, gjithashtu, të kombinoni këto këshilla më një pastrim profesional te gurzave (pllakat bakteriale që përmendëm më lart) çdo 12 muaj.

Një buzëqeshje e bukur duhet të jetë para së gjithash e shëndetshme!

Open chat